Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka njoftuar se është kontaktuar nga Gjykata Speciale, në orët e vona të së premtes.
Ai tha se qëllimi i kësaj thirrje ishte të njoftohej me caktimin e prokurorit të rastit, por thotë se nuk ia kanë specifikuar se për cilin rast bëhet fjalë, njofton Insajderi.
Dedaj shtoi se nga prokurori është pyetur nëse është kërcënuar apo shqetësuar nga dikush.
“I thash s’kam patur dhe nuk kam asnjë kercenim nga askush, e për sa i përket shqetësimeve, ia përmenda shqetësimet e mia me rastin e infektimit tim dhe të gjithë antarëve të familjes sime me virusin COVID-19, gjatë muajit te kaluar.
Njëkohësisht i vura në dijeni se shqetësim i yni më i madh, tash e 22 vite, është edhe moszbardhja e krimit serb mbi dhjetëra antarë të familjes sime, si dhe moszbardhja e masakrës së Mejës së Gjakoves, ku forcat serbe më 27 prill 1999, vranë mizorisht mbi 380 civil shqiptarë të pafajshëm, ndonëse askush nuk është arrestuar nga serbët, për këtë masakër kundër njerëzimit!”, njoftuar ai përmes një postimi në Facebook.
Tutje, Dedaj pohoi se është i gatshëm që t’i përgjigjet ftesave të Speciales, për të dëshmuar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kujtojmë se, vite më parë, Gjergj Dedaj i cili dikur ishte kryetar i Partisë Liberale të Kosovë, pretendonte se është rrahur fizikisht e torturuar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, gjatë kohës së luftës.
Pretendimet e Dedajt ishin se Thaçi gjatë luftës e kishte torturuar për shkak se ai përkrahte ish-presidentin tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugovën. Pretendimet e Dedajt vazhdonin se ndaj tij, Thaçi kishte ushtruar dhunë fizike, psikike dhe morale./Insajderi.com