Peci i reagon LDK-së: Kredia juaj morale është harxhuar

Peci i reagon LDK-së: Kredia juaj morale është harxhuar

Këshilltari i u.d së Presidentes, Vjosa Osmani, njëherit kandidat për deputet në listën e VV-së, Faton Peci, i ka kundër-reaguar deklaratës së sotme të LDK-së, njofton Insajderi.

Në një shkrim në Facebook, Peci ka thënë se ata që e zgjodhën Hashim Thaçin president e kurrë nuk e ngritën zërin sa herë që ai dhunonte e abuzonte me zyrën e presidentit, madje as atëherë kur e kishte vendosur sovranitetin e vendit në shitje, sot po sulmojnë Presidenten në detyrë, ngase ajo ka kërkuar asgjë më shumë se sa pavarësi e paanshmëri të KQZ-së.

“Reagimi i LDK-së shpërfaqë panikun në të cilin është përfshirë ky subjekt. Ne konsiderojmë se ky reagim është i motivuar nga disponimi i ulët i qytetarëve për këtë subjekt dhe jo nga përpjekja e këtij subjekti për ta mbrojtur shtetin dhe demokracinë në vend”, tha ai.

Sipas tij, të kërkosh respektim të ligjshmërisë dhe paanësi në punën e KQZ-së nuk është as ndërhyrje e as kërcënim.

“Ju jeni mësuar prej njëzetë vjetësh të funksioni mbi parametra joligjor, thirrjet për respektim ligji juve ju prekin sedrën. Kredia juaj morale është harxhuar. Nuk do të arrini ta bindni opinionin publik në pretendimin tuaj, sepse Kosova është keq shkaku juaj”, shprehet tutje.

Peci thekson se KQZ-ja, por edhe të gjitha institucionet e tjera të vendit nuk janë vend ku bëhen pazare politike.

“Kjo praktikë duhet të marrë fund, ndaj reagimet tuaja janë simptomë e panikut”, shkroi më tej.

Peci thekson se nuk do të ketë asnjëherë zmbrapsje në zbatimin e ligjit.

“Lista jonë do të mbetet e përkushtuar që kurdo dhe kudo të insistojë në ligjshmëri, duke mos e bërë ligjin asnjëherë subjekt të pazareve politike, siç keni bërë deri tashti ju! Askush nuk mund t`ua marrë juve flamurin e dhunimit të institucioneve dhe shkeljes së Kushtetutës! Ne po e bëjmë pikërisht të kundërtën. Po i mbrojmë institucionet nga ju e partnerët tuaj të qeverisjes e të biznesit, për t’i sjellë qytetarëve ditë më të mira në një shtet ku sundon rendi e ligji”, tha Peci./Insajderi.com