Serbia duhet ta ketë të qartë se nuk do të pranohet në Bashkimin Evropian pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën.
Kështu ka deklaruar kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, në një intervistë dhënë për mediumin serb, “Kurir”, transmeton Insajderi.
“Gjatë vizitës time të fundit në Beograd, dy vjet më parë, unë thashë që Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se nuk do të ketë pranim në BE pa normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën. Të dy palët duhet të bien dakord për një normalizim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Kjo duhet të kontribuojë në stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, tha Kurz.
Sipas tij, Bashkimi Evropian ka pasur rezultate të mira kur bëhet fjalë për ndërmjetësimin në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Pa ndërmjetësimin e BE-së, marrëveshjet e Brukselit ndoshta nuk do të ishin arritur. Pra, ne kemi rezultate të mira këtu. BE-ja ka ende një rol të rëndësishëm negociues në dialog. BE-ja ia ka besuar këtë detyrë Miroslav Lajçakut, një diplomat me përvojë i cili gëzon mbështetjen e plotë të BE-së dhe Austrisë.
Megjithatë, ka nevojë për vullnet politik dhe guximin e Beogradit dhe Prishtinës, pa të cilat nuk do të ketë sukses. Ai gjithashtu ka nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht bashkëpunimin e ngushtë me të Bashkuara Shtetet”, pohoi Kurz./Insajderi.com