Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të ashpërsojë rregullat për eksportet e vaksinave anti-COVID, të cilat janë të prodhuara në BE pas mospajtimeve me kompaninë ‘AstraZeneca’ e cila planifikon të ulë furnizimin, transmeton Insajderi.
Problemi me furnizime që është nxitur nga AstraZeneca do të mund të ndikonte edhe në furnizimet e Mbretërisë së Bashkuar me vaksinë të kompanisë Pfizer, pasi kjo e fundit ka fabrikën në Belgjikë, për vaksinat e zonës evropiane, raporton REL.
Komisionarja për Shëndetësi e Bashkimit Evropian, Stella Kyriakides, ka thënë se 27 vendet e Bashkimit Evropian, “do të marrin çfarëdo veprimi që kërkohet për të mbrojtur qytetarët e vet”.
Bashkimi Evropian veçse është përballur me kritika për numër të vogël të vaksinave, të cilat i blen për të gjitha vendet anëtare.
AstraZeneca, kompani britaniko-suedeze, me seli në Angli, ka thënë se “është duke bërë gjithçka që mundet për të ofruar vaksina për miliona evropianë sa më shpejt që është e mundur”. /Insajderi.com