Selim Selimi: Slogani 100% Shtet ka qenë i fushatës së kaluar, mirëpo taksa 100 % ndaj Serbisë, mbetet në histori jo vetëm për Aleancën, por për tërë Republikën e Kosovës. Unë dhe Aleanca mbesim të përkushtuar për 100 % shtet, 100% sistem të drejtësisë, 100% sovranitet, 100% e Kosovës.
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Selim Selimi, njëherësh edhe ushtrues detyre i ministrit të Drejtësisë, tregon arsyet pse ka zgjedhur të pranojë numrin 100 në garën elektorale të 14 shkurtit.
Edhe pse hynë në 10-shen e fundit të listës zgjedhore të Aleancës, Selimi tregon se nuk është rastësi përzgjedhja e këtij numri.
Siç tregon ai në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, numri 100 asocion me një prej vendimeve më të fuqishme të Aleancës gjatë qeverisjes me në krye Ramush Haradinajn.
“Slogani 100% Shtet ka qenë i fushatës së kaluar, mirëpo taksa 100 % ndaj Serbisë, mbetet në histori jo vetëm për Aleancën, por për tërë Republikën e Kosovës. Unë dhe Aleanca mbesim të përkushtuar për 100 % shtet, 100% sistem të drejtësisë, 100% sovranitet, 100% e Kosovës”, thotë ai.
Ai tutje thotë se ky numër nuk përfaqëson pozitën e tij në parti, por gjithsesi shton se secili kandidat është i rëndësishëm dhe në këtë rast numri është vetëm rendor.
“Në parti numri jo gjithmonë tregon pozicionin brenda subjektit. Për Aleancën të gjithë jemi të rëndësishëm, secili kandidat për deputet në listën tonë ka rëndësinë e tij dhe në këtë rast numri është vetëm rendor”, është shprehur tutje u.d i ministrit të Drejtësisë.
Selimi ka vendosur që për herë të parë të kandidojë për deputet me këtë parti në zgjedhjet e 2021-tës, meqë e ka “inspiruar” Haradinaj derisa ishte kryeministër me vendimet që ka marrë.
Punët që po kryen në Ministrinë e Drejtësisë, e kanë bërë Selimin që të mos dyshojë në pranimin e postit të njëjtë nëse do t’iu ofrohej gjatë ekzekutivit të ardhshëm.
“Në rast se më jepet mundësia me shumë kënaqësi do të pranoja, sepse tashmë jam i kyçur në secilën punë që e kemi nisur bashkë me ekipin”, thotë ai për redaksinë.
Ndonëse nuk kanë përfunduar të gjitha punët e nisura, bagazhi i punës në MD që ka bërë deri më sot sipas ministrit në detyrë, do të jetë performancë që do t’i ndihmojë atij në garën elektorale.
Selimi pret që AAK të fitojë në këto zgjedhje, në të cilat nuk ka hyrë për humbje.
“Lista jonë është premtuese dhe 76% e listës është me kandidatë të rinj”, thotë ai derisa tregon pse pritshmëritë e tij janë të mëdha sa i përket fitores së këtij subjekti më 14 shkurt.
Intervista e plotë:
Insajderi: Fillimisht do të doja të ju pyes pse vendosët që të garoni me numrin 100?
Selimi: Sepse asocion me Aleancën, me një prej vendimeve më të fuqishme gjatë qeverisjes së Kryeministrit Haradinaj. Slogani 100% Shtet ka qenë i fushatës së kaluar, mirëpo taksa 100 % ndaj Serbisë, mbetet në histori jo vetëm për Aleancën, por për tërë Republikën e Kosovës. Unë dhe Aleanca mbesim të përkushtuar për 100 % shtet, 100% sistem të drejtësisë, 100% sovranitet, 100% e Kosovës.
Insajderi: A mendoni se numri 100 është simbolik apo përfaqëson pozitën tuaj në parti?
Selimi: Në parti numri jo gjithmonë tregon pozicionin brenda subjektit. Për Aleancën të gjithë jemi të rëndësishëm, secili kandidat për deputet në listën tonë ka rëndësinë e tij dhe në këtë rast numri është vetëm rendor.
Insajderi: Pse vendoset që për herë të parë të kandidoni për deputet me AAK-në në këto zgjedhje?
Selimi: Siç edhe e dini kryeministri Haradinaj, gjatë kohës sa punoja në kabinet ma besoi postin e Shefit të Stafit. Për mua nuk ka nder dhe vlerësim më të madh se sa kjo. Për më shumë Kryeministri Haradinaj më ka frymëzuar (inspiruar) me punët e mira dhe vendimet historike që i ka marrë. Vendosmëria e tij për punë nacionale, mbrojtja e territorit dhe vendimet e tjera të mëdha më kanë bindur fuqishëm t’i bashkëngjitëm vizionit të AAK-së.
Insajderi: Në rast se partia juaj do të jetë pjesë e pozitës në ekzekutivin e ardhshëm, a do të pranonit sërish postin e ministrit të Drejtësisë?
Selimi: E rëndësishme është që kudo që pozicionohem të kontribuoj për të mirën e vendit. Por në Ministrinë e Drejtësisë mendoj që kemi bërë punë mjaft të mirë. Në rast se më jepet mundësia me shumë kënaqësi do të pranoja, sepse tashmë jam i kyçur në secilën punë që e kemi nisur bashkë me ekipin.
Insajderi: A mendoni se performanca juaj si ministër i Drejtësisë do t’iu ndihmojë në garën elektorale?
Selimi: Padyshim që po, pasi që kemi përfunduar e kemi nisur punë të mira dhe që kanë pasur efekt direkt.
Insajderi: Cilat janë pritshmëritë tuaja në këto zgjedhje, sa i përket rezultateve të kësaj partie?
Selimi: Secila parti hynë në zgjedhje për të fituar. Njëjtë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje ka hyrë për të fituar. Lista jonë është premtuese dhe 76% e listës është me kandidatë të rinj. Kjo për demokracinë është e shëndetshme dhe tregon gatishmërinë tonë për t’i dhënë fuqi më shumë të ardhmes që padyshim janë rinia e Kosovës.
Insajderi: Cilat janë punët e përfunduara nga ju si ministër që do t’ua prezantonit qytetarëve për t’iu besuar në këto zgjedhje?
Selimi: Si Ministër i Drejtësisë, me të marrë postin prioritetet e mia i kam drejtuar kah infrastruktura ligjore me theks të veçantë në Sistemin e Drejtësisë. Kemi përfunduar Rishikimin Funksional, e cila i hapë rrugë reformës së thellë në drejtësi, madje ambasada Amerikane e ka cilësuar si moment historik.
Bashkë me shoqërinë civile, kemi bërë modalitetet për Vettingun, një proces shumë i rëndësishëm që prokurorin e pandershëm e ndëshkon dhe të ndershmit i jep forcë dhe vullnet për punë. Kemi bërë ligjin për Gjykatën Komerciale, artikulimi në një shtyllë i çështjeve komerciale i zgjidhë ato me ekspertizë, ulë riskun e të bërit biznes, riskun e kontesteve, riskun e fitimit sepse mbrohet me një gjykatë e cila merret ekskluzivisht me këtë çështje.
Pastaj kemi punuar ngushtë për t’iu ndihmuar qytetarëve të Luginës së Preshevës, kemi ndarë fonde për ta rikthyer degën e gjykatës atje. Studentëve të Fakultetit Juridik, nga Presheva, që shkollimin profesional e vazhdojnë në Universitetin e Prishtinës, apo edhe universitete tjera publike, përmes plotësim-ndryshimeve më të reja, iu është dhënë e drejta që t’i nënshtrohen provimit të jurisprudencës.
Po ashtu në Ministrinë e Drejtësisë kam angazhuar 10 studentë nga Komuna e Bujanovcit për 3 muaj si praktikantë në departamentet përbrenda MD-së. Ligji për Avokaturën shtetërore, ku avokati i shtetit ka për obligim denoncimin e keqpërdorimeve; Vlerësimi i riskut të draft kontratave.
Synimi i kahmotshëm për të përqendruar kompetencat e Agjencisë në fushën e parandalimit për t’i ikur çfarëdo dualizmi të kompetencave me organet tjera ligj-zbatuese është arritur me këtë projekt-ligj, duke shënuar një përmirësim të dukshëm në këtë drejtim. Përmes këtij projekt – ligji, Agjencia mëveshët me kompetenca të qarta në funksion të parandalimit të korrupsionit. Ndër nënshkrimet e mia të para si Ministër i Drejtësisë, ishe rregullimi i rrugës ligjore për Departamentin që mbështet financiarisht të akuzuarit potencialë të Gjykatës Speciale.
Tri udhëzimet administrative, angazhimi shtesë i stafit dhe përgatitja e tyre për t’iu përgjigjur kërkesave, ishin ato që na forcuan karshi situatës, e cila nuk na pëlqeu aspak. Falë udhëzimeve adminsitrative u krijua edhe ekipi, i cili merret me kërkesat e familjarëve dhe avokatëve, të cilën ua kemi borxh atyre që sollën lirinë e Kosovës. /Insajderi.com