Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur absurd vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili nuk lejon kandidimin e Albin Kurtit dhe kandidatëve të tjerë nga ky subjekt në zgjedhjet e 14-shkurtit, njofton Insajderi.
Me anë të një reagimi publik, nga kjo parti thonë se “PZAP veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë”.
“Të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përbyllur pa pasoja juridike. Pra, praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj. E kjo as është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik”, thuhet tutje në njoftimin e VV-së.
Sipas tyre kjo padrejtësi e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik.
“Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky sot i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”. /Insajderi.com