Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, njëherësh edhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, i cili po qëndron në paraburgim në Hagë, ka uruar që burri i saj dhe bashkëluftëtarët e tij që po qëndrojnë atje, të kthehen sa më shpejt në Kosovë, transmeton Insajderi.
Kështu ka thënë ajo e ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, ku shton se të gjithë po mbahen padrejtësisht atje.
“Uroj që Rexha me u kthy sa më shpejt në Kosovë. Ne të dytë kemi punu e kontribu njëjtë. Ai në jetën publike, unë mbrapa kamerave. Ata çlirimtarë që janë atje, janë padrejtësisht atje. Ajo Gjykatë është e padrejtë, është një-etnike. Uroj që shumë shpejt ata çlirimtarë të kthehen në Kosovë”, tha Selimi.
Ajo tutje ka folur edhe për buxhetin që është ndarë nga Ministria e Drejtësisë për t’i paguar shpenzimet e mbrojtjes së të akuzuarve, për çka thotë se kërkesat janë bërë në Ministrinë e Drejtësisë dhe janë duke u shqyrtuar.
“Për shumën e parave nuk e di saktësisht se sa janë ndarë dhe si paguhen sepse secila mbrojtje e ka numrin e ndryshëm të avokatëve. Kërkesat për pagesën e avokatëve me sa di unë i kanë bërë në Ministrinë e Drejtësisë dhe ato kërkesa janë duke u shqyrtuar”, tha në mes tjerash Shqipe Selimi. /Insajderi.com