Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës ka premtuar ulje të tatimit për korporatat si një nga masat për rimëkëmbje të ekonomisë pas krizës me pandeminë, njofton Insajderi.
Duke folur në emisionin Pressing në T7 ai ka thënë se numri i inspektorëve do të rritet për zbatim të ligjeve të punës. Po ashtu ai bën të ditur se primar do të jetë sektori privat.
“Tatimin e Vlerës së Shtuar nuk do të paguhet nga ana e biznesit në kufi , siç ka ndodhur deri tash, por mbledhja përkatësisht pagesa e TVSH-së do të bëhet në brendi të vendit. Ky do të ketë likuiditet plotësues shtesë shumë më i madh për bizneset sesa që kishte deri tash. Tatimin në të Ardhura të Korporatave do të ulet për disa vite të caktuara nga 10 %, sa ishte deri më tani, në 8%, 7%, 5% dhe 0% varësisht nga investimet dhe numri i të punësuarve”, ka thënë ai duke prezantuar programin e PDK-së para zgjedhje të 14 shkurtit.
“Do të ketë likuiditet shtesë për sipërmarrjen, do të themelohet fondi për të ndihmuar ndërmarrjet tona në shumë mbi 500 milion euro ( pesëqind milion euro), në formë të mbështetjes financiare për biznese, të cilat kanë vështirësi për të funksionuar si duhet për vitin e parë por do të ketë përkrahje edhe për vitet tjera të qeverisjes tonë. Këto mjete (para pa kthim) do t’u jepen bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara në Ligjin e buxhetit të shtetit.”, shtoi ai./Insajderi.com