Gjykata Themelore në Prizren, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet F.B., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje, njofton Insajderi.
Në njoftimin për medie thuhet se i dyshuari në mënyrë të vazhdueshme i ka shkaktuar dhunë psikologjike bashkëshortes së tij.
“Me datë 25 janar, në shtëpinë familjare, i pandehuri F.B., në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike dhe fizike të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që i pandehuri shkon i dehur në shtëpi, fillon ta fyej të dëmtuarën me fjalë ofenduese, dhe pastaj fillon duke e kanosur, “Unë jam egjeli yt, kam te ta nxjerr unë burgun ty”, e dëmtuara largohet nga shtëpia, pastaj kthehet pas 30 minutave, ku përsëri i pandehuri vazhdon me fyerje dhe fjalë ofenduese, aty ndërhyn djali i të pandehurit dhe e largon të pandehurin F.B., nga dhoma”, thuhet në njoftim.
Tutje, Gjykata Themelore në Prizren ka dhënë edhe detaje tjera lidhur me rastin.
“Po ashtu, më datë, 26 janar në shtëpinë e tyre familjare, i pandehuri në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike dhe fizike të dëmtuarit – djalit të tij në atë mënyrë që, deri sa i dëmtuari – djali i tij, ishte duke biseduar me nënë e tij, në ato momente ndërhynë i pandehuri, në prezencë të anëtarëve tjerë të familjes duke e kanosur se ‘të mbys me thikë’ me ç ’rast tek i dëmtuari – djali i tij ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë”./Insajderi.com