Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, në një bisedë telefonike të zhvilluar sot me Matthew Palmer, zëvendësndihmës sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin, kanë biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe SHBA dhe marrëdhëniet rajonale, transmeton Insajderi.
Në këtë bisedë, Palmer i ka konfirmuar Haradinajt se SHBA-ja do të vazhdojë përcjelljen me interesim të lartë zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në implementimin e Marrëveshjes së 4 Shtatorit, specifikisht formalizmin e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit.
“Në emër të Kosovës shpreha mirënjohjen tonë për angazhimin dhe vëmendjen e palëkundur të SHBA-ve ndaj Kosovës, dhe bindjen se edhe në këto zgjedhje parlamentare, Kosova do të ruajë standardin e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike e të lira”, ka thënë Haradinaj.
Shefja e diplomacisë kosovare tha se “kjo arritje kulmore për Kosovën, shtetësinë dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar po arrihet falë rolit kyç të SHBA-së dhe do të hapë një horizont të ri bashkëpunimi ndërkombëtar për Kosovën”. /Insajderi.com