Kurti: Kadareja vetëdijësoi një pjesë të opinionit botëror për masakrat që po bënte ushtria serbe në Kosovë

Kurti: Kadareja vetëdijësoi një pjesë të opinionit botëror për masakrat që po bënte ushtria serbe në Kosovë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka uruar shkrimtarin Ismail Kadarenë në 85-vjetorin e lindjes, duke e quajtur “një ndër personalitetet intelektuale të nivelit botëror”, njofton Insajderi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti thotë se Kadareja ka shkruar shumë për Kosovën, madje shton se ai vetëdijësoi një pjesë të opinionit botëror për masakrat e ushtrisë serbe në Kosovë.

“Kadare ka shkruar shumë për Kosovën, në shumë vepra e në shumë zhanre. Por, një poezi e shkurtër e tij, me titullin «Kosova» (1966), përshkruan mallin e dëshirën e tij për pjesën e atdheut që ishte e ndaluar. Në pamundësi të vizitonte dheun e Kosovës, Kadare përmallet teksa fluturon me aeroplan mbi këtë pjesë të vendit të tij. Sheh piklat që rrjedhin prej krahëve të aeroplanit e bien poshtë drejt Kosovës, si lot atmosferikë, por as ato pikla nuk i prek dot, sepse edhe ato janë pjesë e jashtësisë së paarritshme, pjesë e Kosovës së ndaluar”, ka thënë ai.

“Gjatë Luftës së Kosovës Kadareja vetëdijësoi një pjesë të rëndësishme të opinionit botëror mbi masakrat që po bënte ushtria serbe, dhe mbi domosdoshmërinë e ndërhyrjes ushtarake prej perëndimit. Librat «Ra ky mort e u pamë» dhe «Tre këngë zie për Kosovën» shënojnë atë moment të rëndësishëm për historinë tonë”. /Insajderi.com