IKSHPK ende në pritje të rezultateve të mostrave për versionin e ri të COVID-19

IKSHPK ende në pritje të rezultateve të mostrave për versionin e ri të COVID-19

Ende nuk dihet rezultati i 30 mostrave pozitive në COVID-19, të cilat janë dërguar rreth një javë më parë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë për në Gjermani, sa i përket testimit më të detajuar në variantin e ri të Coronavirusit, transmeton Insajderi.

Kështu bën të ditur Xhevat Jakupi, Drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK, i cili thotë se këto mostra janë pranuar me datën 25 janar në Institutin e Virologjisë në Qendrën  Universitare “Charite” në Berlin.

“Mostrat e dërguara nga IKSHPK  janë pranuar me datën 25.01.2021 në Institutin e Virologjisë, Qendra Universitare Charite në Berlin. Ende nuk kemi rezultate të pranuara si dhe nuk kemi informata nga Instituti në fjalë se kur mund ti pranojmë këto rezultate”, ka deklaruar ai për KK.

“Nëse ndonjë  nga rastet e testuara si pozitive është me variantin e ri britanik (ose te Afrikës së Jugut) të SARS-CoV-2,  ende nuk kemi RT- PCR kite specifike për detektim pasi që vetëm në ditët e fundit kanë filluar të prodhohen dhe jemi në proces të sigurimit të këtyre kiteve”, thotë tutje ai.

Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se varianti i ri i COVID-19 përhapet shumë më shpejt sesa Coronavirusi, teksa ende nuk është konfirmuar se ka vdekshmëri më të lartë. /Insajderi.com