Tahiri zyrtarizon prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen

Tahiri zyrtarizon prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen

Koalicioni për bashkëqeverisje në Komunën e Vushtrrisë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje është zyrtarizuar përmes një konference për medie të mbajtur të premten nga kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, njofton Insajderi.

Tahiri i cili vie nga LDK-ja, ka thënë se mos-votimi i planeve të rimëkëmbjes nga partneri, në këtë rast VV-ja, është i papranueshëm.

“Jemi komuna e parë që duam ta ndryshojmë agjendën e diskutimit në këtë vend. Mosvotimi i këtij plani nuk e ka asnjë kuptim. Kur kemi hyrë në bashkëqeverisje jemi zotuar për një qasje ndryshe në qeverisjen komunale. Sukseset janë të padiskutueshme, dhe ne jemi ndër komunat me përformancën me të mirë”, pohoi i pari i Vushtrrisë.

Ai ka thënë se do të qeveris i vetëm.

“Ne do të qeverisim të vetëm, pa asnjë koalicion të ri. Vendimet do të shkojnë në Asamble dhe ato s’kanë të bëjnë me asnjë parti politike”.

Tahiri ka mohuar se arsye tjetër për prishjen e koalicionit janë zgjedhjet e 14 shkurtit./Insajderi.com