Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, thotë se ka qenë i bindur se “drejtësia do të ngadhënjejë”, derisa ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme për ankesat e partive politike, transmeton Insajderi.
Supremja ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që Dreshajn ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë, vendim ky për të cilin Dreshaj thotë se edhe para se të merrej vendimi, ishte i sigurt që kështu do të ndodhte.
“Ne jemi qytetar të Kosovës dhe kemi ligje të mira dhe jo të mira. Edhe unë kam qenë në stres për një lëndë të skaduar që ka mbetur në sistem – një aksident zinxhiror në Drenas. Prej shkurtit 2019, aksidentet në komunikacion nuk janë më vepra penale, por kundërvajtje. Pa marrë parasysh vendimet që vijnë prej legjislacionit, duhet të respektohen nga të gjithë. Ne jemi të barabartë para ligjit dhe duhet t’i respektojmë ato”, ka thënë ai, raporton KK.
“Kam qenë mjaft i sigurt se drejtësia do të ngadhënjejë dhe në prononcimin tim që kisha dje, thash se çdo vendimit do ta respektoj”, thotë tutje Dreshaj.
I pyetur rreth vendimit të Supremes e cila e ka lënë kandidatin për kryeministër të VV-së, Albin Kurtin, jashtë garës zgjedhore, Dreshaj ka thënë se nuk është gjë e mirë, por megjithatë duhet të respektohet.
“Në parim mendoj se të sanksionohet e drejta e liderit të opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje nuk është e mirë. Por prapë vlen e njëjta që thash se të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Sa i përket VV-së, më vjen shumë keq që shumë pretendentë cilësorë për parlamentin e Kosovës të ngelen jashtë listës – mendoj se nuk është e mirë për vendin”.
“Sido që të jetë, mendoj se VV është parti e strukturuar mirë që respekton ligjin dhe vendin. Uroj që VV ta begatojë Kuvendin me pjesëmarrjen e vet. Është parti e përfaqësuar në mënyrë solide në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është parti me të cilën duhet të bëjmë shaka”. /Insajderi.com