Nushi: Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, ndihmesë e vogël për Prishtinën

Nushi: Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, ndihmesë e vogël për Prishtinën

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, nuk do ta ndihmojë shumë komunën e Prishtinës, tha nënkryetari i kësaj komune, Muhedin Nushi, duke shtuar se planifikimi i buxhetit për këtë vit është 6.3% më i vogël se që ka qenë vitin që e lamë pas.

Nushi tha se edhe këtë vit do të ballafaqohen me një serë masash që do t’i ndërmarrin.

“Vitin e kaluar kemi marrë një mori masash të cilat e kanë kap vlerën 10 milionë euro me të gjitha masat e aprovuara qoftë atë për rimëkëmbje të bizneseve qoftë për skema sociale. Edhe për këtë vit i kemi të parapara disa prej ndihmave, por varësisht prej situatës do të veprojmë edhe ne. Ne për Covid veç kemi filluar pagesat gjatë vitit të kaluar”, deklaroi ai për EO.

Nushi theksoi se gjatë vitit të kaluar janë paguar 437 qytetarë të Prishtinës, ku shuma total është afro 20 mijë euro.

“Në vitin 2020 kemi paguar 437 qytetarë të komunës së Prishtinës ku shuma totale është afër 20 mijë euro. Në ndërkohë derisa të hapet thesari ne kemi vazhduar me azhormimin e atyre të dhënave me kontakte me qytetarë të cilët nuk i kanë plotësuar të dhënat në formë të duhur dhe aktualisht e kemi listën prej 7 mijë qytetarëve të cilët do të marrin ndihmën në ditën e parë kur të hapet thesari. Po shpresojmë shumë që thesari do të hapet të hënën dhe ne do të mund të fillojmë me transaksionet të tyre. Ekipi prej dhjetë vjetëve punon vazhdimisht në kontakte me familjarë”, shtoi ai.

Tutje, Nushi tha se komuna e Prishtinës në skemën sociale i ka mbi një mijë e 500 familje që ndihmohen edhe nga Qeveria.

“Aktualisht në skemën sociale komuna e Prishtinës i ka mbi 1500 familje që ndihmohen dhe nga Qeveria. Edhe për tre muajt e ardhshëm do t’i marrin ka dy paga. Komuna e Prishtinës i ka ndihmuar familjet me pako ushqimore, higjienike dhe dru për ngrohje, afër 300 familje”, u shpreh ai.

Planifikimi buxhetor i Komunës së Prishtinës për vitin 2021 është 85 milionë e 792 mijë./Insajderi.com