Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar kryetarin disavjeçar të Komunës së Istogut dhe njëherësh nënkryetarin e LDK-së, Fadil Ferati, në 11 vjetorin e vdekjes së tij, njofton Insajderi.
Mustafa u shpreh se Ferati ishte prijësi shumëvjeçar i Istogut dhe proceseve të Kosovës, ndërsa shtoi se vepra e tij do të kujtohet përjetësisht.
“Ai ishte intelektual, miku më i mirë i qytetarëve të Istogut, veprimtar i LDK-së dhe Kosovës, lider popullor që në të gjitha garat ai doli fitues sepse ai atëherë kishte lidhur paktin me qytetarët e Istogut; do të ishte i afërt me problemet e tyre të përditshme dhe do të ishte gjithnjë në krye të përgjegjësive politike e kombëtare, prandaj fitorja dhe popullariteti i tij nuk ishte i rastësishëm”, tha ai, thuhet në komunikatën për medie të LDK-së.
Mustafa është shprehur edhe se vdekja e tij ishte një zbrastirë e pazëvendësueshme.
“Ndarja nga jeta e tij ishte një zbrastirë e pa zëvendësueshme jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë qytetarët e Istogut dhe gjithë Kosovës, ndërsa LDK-ja humbi politikanin jo të zakonshëm dhe njërin nga kolosët e saj.
Istogu dhe Kosova do ta përkujtojnë përherë njeriun e tyre model, Fadil Feratin!”, tha i pari i LDK-së./Insajderi.com