Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte publikuar të hënën një letër me të cilën i drejtohej BE-së, rreth qasjes së saj ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar Brukselin zyrtar si të paaftë për të trajtuar situatën e paqëndrueshme në rajon.
Letra e Ahmetit e botuar në sajtin “euroactiv” u botua të njëjtën ditë me atë të gazetarit serb Dejan Anasatasijeviç dhe kishte të njëjtën qasje: paralajmërimin e Evropës se durimi i ballkanasve për integrim në BE po i vjen fundi.
Ahmeti kritikoi përfaqësuesen e lartë të BE-së, për politikë të jashtme, Frederica Mogherinin e cila gjatë fjalimit të saj të shtunën (11 mars) në Prishtinë, ka përsëritur këtë mesazh duke deklaruar se Kosova ka përmbushur kriteret e tjera të liberalizimit të vizave: forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Deklarata e saj u prit me zemërim dhe ironi nga vëzhguesit e pavarur dhe komentuesit në mediat sociale”, shkruante Ahmeti.
Por zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq, për Insajderin ka thënë se nuk pranon të komentojë, letrën e Ahmetit e as reagimet e tjera në Ballkan që flasin për rritjen e pakënaqësisë së ballkanasve për BE-në.
“Ne nuk komentojmë për komentet anonime”, ka thënë Kocijançiq për Insajderin, ani pse asaj i janë dërguar linçet e shkrimeve të Ahmetit dhe të tjerëve.
Në vend të një komenti mbi qëndrimet e Ahmetit dhe të tjerëve, ajo dha një deklaratë të liderëve të BE-së që është nxjerrë si konkluzion nga takimi i së mërkurës.
Aty thuhet se është e rëndësishme të vazhdohet rruga e reformave dhe marrëdhëniet më të mira fqinjësore dhe rajonale.
Pikërisht për këtë qasje është kritikuar së fundmi BE-ja edhe në letrën e Ahmetit por edhe në qëndrimet e tjera të liderëve në Ballkan./Insajderi.com