Një muaj paraburgim për policin Haris Kelmendi

Një muaj paraburgim për policin Haris Kelmendi

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim zyrtarit policor, Haris Kelmendi, i cili dyshohet për keqtrajtimin e një 18 vjeçari në stacionin policor në Prishtinë, njofton Insajderi.

Gjykata bën të ditur, se Haris Kelmendi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

“Të pandehurit H.K. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 një muaji për veprën penale Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 të KPRK-së, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 paragrafi 1.1 dhe 1.2.2 të KPK-së”, thuhet në njoftimin për medie.

Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale.

“Pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri H.K. në liri mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, pasi që në këtë vepër penale janë të përfshirë edhe zyrtarë tjerë policor dhe kjo tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri mund të pengohet rrjedha e procedurës penale”./Insajderi.com