Mustafa për Kurtin: Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici

Mustafa për Kurtin: Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar vizitën e kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, të hënën në Skenderaj, ku ishte i shoqëruar me njësi speciale, njofton Insajderi.

Në një postim në Facebook, Mustafa është shprehur se “nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësi speciale… zgjedhe nën tytat e armëve, 21 vjet pas çlirimit!?”.

Sipas tij, zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje.

“Askush s’është i pari nëse duhet të barikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dal i pari, në qoftë se mendon se një komune apo një territor është pashallëk i tyre”, ka shkruar Mustafa.

Tutje, i pari i LDK-së e ka quajtur Kurtin “protagonist të dhunës dhe kërcënimeve”, për të cilin thotë se “në hygjymin për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës”.

Vizita e Kurtit në Skenderaj në prag të zgjedhjeve nuk u prit aspak mirë. Ai u sulmua me vezë nga një grup i qytetarëve që brohorisnin “UÇK, UÇK”, “Thaçi, Thaçi”./Insajderi.com