Lista e deputetëve, Rama: S’kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador

Lista e deputetëve, Rama: S’kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka reaguar ambasadorëve të huaj të cilët kanë bërë thirrje për liderët e partive politike që të zgjedhin kandidatë të pastër meqë janë në prag të zgjedhjeve, transmeton Insajderi.

Rama deklaroi këtë të martë se detyrën e tij e di shumë mirë dhe nuk ka nevojë për ambasadorët që t’ia kujtojnë.

“Unë këtë ambasadorin britanik nuk e kuptoj fare se pse është kaq i përfshirë në çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Kam shumë respekt për të dhe realisht është një person që meriton respekt, por nuk e kuptoj se pse është kaq i përfshirë në këto bisedat e brendshme të Shqipërisë kur vjen puna te zgjedhjet. Po ja them publikisht këtë se ia kam thënë edhe personalisht. Ndërkohë që për sa i përket pyetjes, unë nuk kam nevojë që të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane. Natyrisht ajo është në të drejtën e vet të thotë atë që mendon, por kjo përgjigje nuk është për të, por për ju. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane ka thënë kështu, ka thënë ashtu. Nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë janë të respektuar, nuk ka nevojë të ma kujtojë asnjë koordinatorë në PE, nuk ka nevojë të ma kujtojë askush. E di mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar”, ka thënë Rama, raporton “TvKlan”.

Sa i përket kandidatëve, Rama tha se gjithsecili ka përgjegjësi individuale para drejtësisë dhe se partitë politike nuk mund të bëjnë asgjë më shumë se të kontrollojnë dokumentet që ata dorëzojnë. /Insajderi.com