Dy policë të lënduar nga përleshja me aktivistët e PSD-së

Dy policë të lënduar nga përleshja me aktivistët e PSD-së

Dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore derisa ndërhynë për të penguar aksionin e Partisë Socialdemokrate sot, të cilët në objektin e Qeverisë së Kosovës vendosën mbishkrimin “Krejt dhe drejt = i gjithë pushteti i sovjetëve”, njofton Insajderi.

Këtë për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se këta zyrtarë kanë marrë lëndime të lehta.

Ahmeti tutje tha se policia është duke i trajtuar rrethanat që karakterizojnë ngjarjen, derisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit.

“Sot rreth orës 12:15 në shesh në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Përkundër faktit që këtyre personave u është bërë e qartë nga policia se veprimet e tilla janë të palejuara, të njëjtit duke shpërfillur urdhërat e zyrtarëve policor, me veprimet dhe sjelljet e tyre kanë penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrës zyrtare. Si pasoj e veprimeve të lartcekura dy zyrtar policor kanë pësuar lëndime të lehta përderisa në objektin e Qeverisë janë vendosur grafite. Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit”, ka thënë Ahmeti.

Derisa aktivistët e PSD-së tentonin të shkruanin në murin e këtij objekti, policia intervenoi duke shkaktuar përleshje mes vete.

“Krejt dhe drejt” është slogani i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilin PSD-ja e ka krahasuar me parullën bolshevike “Krejt pushteti i sovjetëve”.

Kryetari i këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj, tha se kjo parullë, e përdorur para një shekulli përshkruan mirë domethënien e zgjedhjeve në Kosovë.

“Në emër të lirisë, demokracisë e zhvillimit po shkojmë drejt një autokracie me tendencë totalitare. ‘Krejt pushteti sovjetëve’ ishte parullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve. Në ditët e para brenda sovjetëve ishte partia; pastaj sovjetët u bënë instrumente të partisë; partinë ndërkohë e merr në kontroll rrethi i ngushtë i pararojës; për t’u qendërzuar në fund në duart e një njeriu”, tha Molliqaj para mediave. /Insajderi.com