Ambasada amerikane: Korrupsioni, pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Ambasada amerikane: Korrupsioni, pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar se korrupsioni mbetet ndër pengesat kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës, investimet në sektorin privat dhe krijimin e mundësive për punësim, veçanërisht për të rinjtë, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga kjo ambasadë janë shprehur se edhe qytetarët e rëndomtë mund të ndikojnë në luftimin e kësaj dukurie.

“Përmes veprimit të thjeshtë – duke thënë „Jo” dhe duke refuzuar për të marrë pjesë në nepotizëm, ryshfet dhe korrupsion, madje edhe në shkallë të vogël, si dhe duke i raportuar rastet – qytetarët e rëndomtë mund të kenë ndikim të vërtetë dhe afatgjatë në luftimin e korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Tutje, ambasada amerikane thotë se është krenare që e përkrah fushatën multimediale për informimin e publikut.

“Kjo fushatë, që filloi në shtator të vitit 2020, vë në pah se si të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë mund të luajnë rolin e tyre përmes angazhimit qytetar aktiv për ndërtimin dhe sigurimin e të ardhmes paqësore, të drejtë dhe të begatshme. Ndryshimi është i mundshëm vetëm kur populli i Kosovës të marrë të ardhmen në duart e veta dhe të ndërmarrë veprim për të nxitur ndryshimin”, thuhet tutje në komunikatën e ambasadës./Insajderi.com