Të akuzuarit në Hagë me katër kërkesa për mbështetje financiare për mbrojtje

Të akuzuarit në Hagë me katër kërkesa për mbështetje financiare për mbrojtje

Mbrojtësit e të akuzuarve nga Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte kanë bërë të paktën katër kërkesa për mbështetje financiare për mbrojtje juridike nga shteti i Kosovës.

Nga Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për Kohën bëjnë të ditur se bazuar në Ligjin për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara kanë shqyrtuar deri tash katër kërkesa për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike, duke mos dhënë detaje se për kë bëhet fjalë apo sa është shuma e ndarë.

Kjo ministri ka thënë se për detaje të tjera do të njoftojë me kohë.

Deri tash nga Specialja në Hagë janë ngritur aktakuza për krime lufte ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, ndërsa ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për “pengim të drejtësisë”.

Për ta përkrahur mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Specialja, Kosova ka vënë në dispozicion rreth 20 milionë euro./Insajderi.com