Intervistë me Fahrije Hotin, gruaja që u portretizua në filmin e shumë çmimeve “Zgjoi”

Fahrije Hoti për Gazetën Online Insajderi: Unë kam qenë shumë e hapur dhe transparente me ato që unë i kam përballuar edhe jam ndjerë shumë mirë që unë e kam thyer tabunë në këtë regjion ku jetojmë dhe do të dokumentohet e do të bëhet një film për mua

Intervistë me Fahrije Hotin, gruaja që u portretizua në filmin e shumë çmimeve “Zgjoi”

Nuk besonte asnjëherë që një ditë historia e saj do të njihet e të shkruhet edhe përtej kufijve të Kosovës.

Drejtoresha e Kooperativës bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti, ndjehet e lumtur dhe krenare që filmi “Zgjoi” në të cilin rrëfehet e gjithë historia e saj, triumfoi në një ndër festivalet më të rëndësishme të kinematografisë në botë “Sundance Festival”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas rrëmbimit të tri çmimeve kryesore në këtë festival nga drama e regjisores, Blerta Bashollit, Fahrije Hoti tregon në një intervistë për Gazetën Online Insajderi se si ka ardhur deri te rrëfimi i historisë së saj përmes këtij filmi.

Ajo thotë se për këtë projekt ka biseduar dhe bashkëpunuar me Bashollin për pesë vjet me radhë, ndërsa tani gjithçka është dokumentuar dhe sfidat e puna e saj po vlerësohen edhe në SHBA.

“Paraprakisht me regjisoren Blerta Basholli, ka pesë vjet që bashkëpunojmë dhe ka lexuar nëpër rrjete sociale për historinë time, jemi takuar dhe kemi biseduar, e ka kërkuar miratimin tim nëse mund të bëjë një projekt që historia ime të dokumentohet dhe e kemi pranuar”, thotë Fahrija.

Gruaja që theu tabutë në Krushën e Madhe me ambicien e saj për t’u zhvilluar e që me historinë e saj frymëzoi edhe në botën e artit, thotë se filmi është pak prekës sa i përket rolit të Fahrijes, por megjithatë ato çfarë ka kaluar ajo, janë gjëra që ndodhin.

Si një ndër gratë që e preokupon fati i burrit të saj humbur gjatë luftës në Kosovë, Fahrija fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes – në një ambient tradicionalisht patriarkal, por që sot ky biznes është ndër më të njohurit të llojit të vet në Kosovë.

Se është ballafaquar me paragjykime për shumë nevoja të saj personale, gjë që kuptohet edhe duke parë filmin, e thotë edhe vetë Fahrija, e gjithë historia e së cilës tashmë pasqyrohet në një film.

Ajo shprehet e lumtur që rrugëtimi i saj tashmë mund të shihet edhe nga pasardhësit e saj me anë të një filmi ku gjithçka është e dokumentuar.

Gazeta e përjavshme amerikane “Austinchronicle”, i ka ndarë një pjesë shkrimit për filmin “Zgjoi”, që bazohet në historinë e vërtetë të Fahrijes. E pyetur nëse ka pritur që përjetimet dhe arritjet e saj një ditë të shkruhet edhe në mediat e huaja, gruaja nga Krusha e Madhe thotë se një gjë e tillë nuk i ka shkuar në mendje asnjëherë më parë.

“Si shumë gra në fshatin kosovar të Krushës së Madhe, Fahrije Hoti (Yllka Gashi) po jeton vërtetë në gjendje të paqartë. Burri i saj është zhdukur, supozohet se është mbytur ose pushkatuar, por në ‘Zgjoi’ shpresa që ai ende jeton gumëzhimë në veshin e saj” – nis shkrimi i kësaj gazete.

Intervista e plotë:

Insajderi: Si ka ardhur deri te realizimi i këtij filmi, pra kur ju kanë kërkuar që historia juaj të pasqyrohet në një film?

Fahrije Hoti: “Paraprakisht regjisorja Blerta Basholli, ka pesë vjet që bashkëpunojmë dhe ka lexuar nëpër rrjete sociale për historinë time, jemi takuar dhe kemi biseduar, e ka kërkuar miratimin tim nëse mund të bëjë një projekt që historia ime të dokumentohet dhe e kemi pranuar. Ne që pesë vjet vazhdimisht bashkëpunojmë, ndërsa sot ka triumfuar me tri çmime dhe jam shumë krenare për ato grupmosha të reja që kanë punuar me historinë time dhe sot është dokumentuar, gjë që është e mirë për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë”.

Insajderi: Si e keni pritë ju një kërkesë të tillë, a keni hezituar që historia juaj të rrëfehet edhe me anë të filmit?

Fahrije Hoti: “Jo, unë kam qenë shumë e hapur dhe transparente me ato që unë i kam përballuar edhe jam ndjerë shumë mirë që unë e kam thyer tabunë në këtë regjion ku jetojmë dhe do të dokumentohet e do të bëhet një film për mua. Është një film pak prekës sa i përket rolit të Fahrijes, por megjithatë ato janë gjëra që të ndodhin, nuk janë asgjë që nuk të ndodhë. Pra është një film që pasqyron komplet situatën e një gruaje të ve që është ballafaquar me paragjykime, me vështirësi pa të ardhura mujore, probleme për të rritur fëmijët, problemet për të rrugëtuar, për të marrë patent shofer, pra i gjithë historiku i Fahrijes bashkë me shumë gra të Kosovës është i dokumentuar”.

Insajderi: Së fundmi ky film mori edhe tri çmime kryesore në një nga festivalet më të rëndësishme të kinematografisë në botë, në ‘Sundance Festival’, a e keni pritur një sukses të tillë të filmit që bazohet në historinë tuaj?

Fahrije Hoti: “Me të vërtetë jo, por e falënderoj për punën që ka bërë ekipi i filmit edhe kanë marrë tri çmimet më të mira në ‘Sundance Festival’. Unë si Fahrije nuk e kam pritur edhe pse kam menduar që (ndoshta është e turpshme që po e them), por kam menduar që nuk po e vlerësojnë njerëzit e Kosovës atë vuajtje tonë e lëre më shteti i huaj të të vlerësojë vuajtjen e Fahrijes ose sfidat e saj, por prap i falënderoj ekipin që kanë punuar dhe janë munduar që të pasqyrojnë Fahrijen më së miri, absolutisht nuk i kam pritur këto çmime, ndoshta e kam pritur një çmim të publikut, por jo ato tre çmime”.

Insajderi: Si ndjeheni ju që historia juaj po e përfaqëson Kosovën në këtë festival filmi?

Fahrije Hoti: “Unë e vlerësojë rrugëtimin tim dhe ndjehem shumë komod dhe shumë mirë që ndoshta pasardhësit e mi kanë fatin ta shikojnë atë film dhe të mburrem me punën që kam bërë unë dhe fëmijët e mi, kështu që unë jam shumë krenare që ia kam dhënë një pasqyrë të pastër Kosovës me një film që çdo gjë është dokumentuar”.

Insajderi: Për këtë film kanë shkruar edhe mediat e huaja, njëra ndër to është edhe gazeta amerikane “Austinchronicle”, a keni pritur që historia juaj dhe arritjet tuaja një ditë do të shkruhen edhe në mediat ndërkombëtare, qoftë edhe duke u bazuar në një film?

Fahrije Hoti: “Absolutisht jo. Asnjëherë nuk e kam pritur që një ditë mediat ndërkombëtare do të shkruajnë për një film të atillë dhe për një histori të Fahrijes. Nuk e kam pritë asnjëherë, por falë ekipit të mirë dhe falë rinisë së Kosovës sot jemi krenar që një film I tillë ka marrë çmim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. /Insajderi.com