Ndonëse rastet e riinfektimit me Coronavirus janë paraqitur edhe në Kosovë, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës aktualisht nuk ka pacientë të hospitalizuar për herë të dytë, transmeton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Ajazaj-Berisha.
“Për momentin në Klinikën Infektive i kemi 91 pacientë, 56 prej tyre janë me oksigjenoterapi, 2 në respirator. Për momentin nuk kemi pacientë që është për herë të dytë i hospitalizuar”, tha Ajazaj-Berisha për Telegrafin.
Infektologu Salih Ahmeti ka deklaruar ditë më parë se infektimit për herë të dytë me COVID-19 është një shqetësim.
“Në praktikën tonë kemi pasur disa raste që kanë manifestuar shenja klinike për herën e dytë dhe që të njëjtin kanë rezultuar pozitiv për herë të dytë në testin PCR. Gjithmonë te sëmundjet infektive raste përjashtuese ekzistojnë. Edhe te COVID-19, për arsye të ndryshme mund të ekzistojnë rastet e infektimit”, kishte pohuar ai.
Ndërkohë, profesionistët shëndetësorë në vend po ndjehen të shqetësuar për riinfektimin me COVID-19 të pacientëve që kanë kaluar këtë sëmundje.
Ata thonë se tashmë kanë hospitalizuar për herë të dytë edhe mjekë të cilët aktualisht janë në trajtim.
Rukije Mehmeti, pulmologe ka thënë për Radio Kosovën se vetëm në Klinikën e Pulmologjisë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, aktualisht janë dy mjekë, të cilët janë në trajtim për shkak se janë infektuar për herë të dytë me Coronavirus.
“Shumica e rasteve po e kalojnë më lehtë riinfektimin. Ne në klinikë i kemi dy doktorë që janë riinfektu për herën e dytë. Janë raste më të rralla, por po paraqiten individë të caktuar. Edhe në Klinikën Infektive ka raste që janë duke u trajtuar. Kjo është sëmundje që është e rëndësishme edhe kodi gjenetik. Disa e kalojnë shumë më lehtë disa më vështirë. Pra varet edhe virulence, por edhe të tjerë faktorë”, është shprehur Mehmeti./Insajderi.com