Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla, ka deklaruar se Kosova është vend demokratik e jo autoritar, “përkundër pangopësisë së disave për të pushtuar krejt pushtetet”, ndërsa ka shtuar se “ata që duan të kundërtën, le t’i bashkohen Serbisë e Rusisë!”, njofton Insajderi.
Lidhur me hapjen e ambasadës në Jerusalem, ajo tha se nuk bëhet fjalë për zhvendosjen e saj nga Tel Avivi.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj-Stublla është shprehur se me vendosjen e ambasadës në Izrael, Kosova ka përmbushur pjesët kryesore të zotimeve të Uashingtonit, dhe ka forcuar edhe më tej lidhjen e saj me Amerikën.
“Ata që duan ta largojnë Kosovën nga Amerika, duan ta bëjnë Kosovën si Serbia – që nuk i respekton marrëveshjet e zotimet e marra përsipër, dhe shtet që i kundërvihet Amerikës kundër vetvetes. NUK DO T’I LEJOJMË!
Ata që po synojnë zhbërjen e vlerës themelore të demokracisë së Kosovës – pluralizmit – përmes zaptimit të të gjitha institucioneve të shtetit, duan që Presidenti edhe Krye-Parlamentari të kontrollohet nga Kryeministri – dhe këtë NUK DO TA LEJOJMË!”, ka shkruar ajo në Facebook.
Këto deklarata të ministres në detyrë janë reagim ndaj deklaratës së ish-ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë Kurti, Glauk Konjufca, i cili të enjten tha se nëse Vetëvendosje udhëheq me qeverinë dhe nëse kushtëzohen për hyrjen në Bashkimin Evropian me zhvendosjen e ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi, atëherë kjo do të rishqyrtohet./Insajderi.com