Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ndaluar tre zyrtarë policorë, në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, njofton Insajderi.
Siç njoftohet nga prokuroria, rasti ka ndodhur më 4 shkurt në orët e hershme të mëngjesit, ku viktima së pari është ndaluar nga zyrtarët policorë për kundërvajtje në trafik, më pas dyshohet që është keqtrajtuar, dhe nga përdorimi i forcës fizike nga ana e tyre, i njëjti ka marrë lëndime të rënda trupore dhe për momentin gjendet për tretman mjekësorë.
“Prokurori kujdestar në prokurorinë e këtij qyteti, ka qenë në konsultim edhe me Inspektoratin Policorë të Kosovës, me rekomandimin e të cilëve janë suspenduar shtatë zyrtarët policorë, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë incident”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Bëhet e ditur se gjatë ditës prokuroria atje do ta bëjë kërkesën për paraburgim, në Gjykatën kompetente, për tre zyrtarët policorë të cilët gjenden në ndalim dhe do të vazhdojë hetimet edhe për katër policët tjerë të cilët janë të dyshuar për rastin në fjalë”. /Insajderi.com