Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka renditur disa “pyetje të ndaluara” për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili njëherësh është kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, njofton Insajderi.
Sipas tij, këto pytje nuk po i bëhen Kurtit nga “gazetarët e përzgjedhur prej tij për ta intervistuar”, ndërsa shton se ato “tregojnë të vërtetën e zhveshur”.
Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj është shprehur se i pari i VV-së i përzgjedh vetë gazetarët intervistues, “prandaj ata nuk sfidojnë, veç dëgjojnë ligjërimin”.
“Pyetjet që s’po bëhen, janë paralajmërim për llojin e pushtetit që po vjen. Pushtet që i zgjedhë vetë gazetarët e përshtatshëm, sepse do që t’i përcaktojë vetë pyetjet. Pushtet që në fakt nuk do pyetje”, ka shkruar lideri i PSD-së.
Pyetjet e Molliqajt për Kurtin janë renditur në vazhdim:
– A do ta vendosë Albin Kurti reciprocitetin me Serbinë?
– Cilat janë kushtet që Serbia duhet t’i plotësojë në mënyrë që Albin Kurti të ulet në negociata?
– Kush janë oligarkët në Kosovë? Emrat? Cilat do të jenë veprimet e Albin Kurtit kundër këtyre oligarkëve? Pse nuk ka në programin e tij tatim në dividentë (që nënkupton tatim në fitim të aksionarëve të kompanive)?
– A do ta ndryshojë Albin Kurti ligjin i cili ia ndaloi kandidimin për zgjedhje apo do ta përdorë atë për të disiplinuar kundërshtarët politikë?
– A do ta zgjedhë VV dhe Albin Kurti presidentin/en nëse kuorumi për këtë votim varet nga prania e Listës Srpska?
– Pse e ka hequr VV dhe Albin Kurti tatimin progresiv nga programi i kësaj partie?
– Pse ka futur Albin Kurti në listë kandidatë homofobë që qartazi janë deklaruar kundër të drejtave të njeriut, veçanërisht komunitetit LGBTI, nga të cilët nuk është distancuar asnjëherë?/Insajderi.com
PYETJET E NDALUARA
Janë ca pyetje që nuk po i bëhen Albin Kurtit nga gazetarët e përzgjedhur prej tij për ta…
Posted by Dardan Molliqaj on Friday, February 5, 2021