Edhe pse presidenti amerikan, Joe Biden, ka kërkuar nga Serbia arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen reciproke, Bashkimi Evropian thonë se në fund do t’i mbetet vetë Prishtinës dhe Beogradit që të gjejnë kompromisin e nevojshëm.
Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, thotë se qëllimi kryesor i këtij dialogu të lehtësuar nga BE është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Ai tutje shton se për letrën e djeshme të presidentit Biden në adresë të Aleksandar Vuçiqit, BE nuk do të komentojë ashtu sikurse nuk e ka zakon të komentojë komunikimin dypalësh midis partnerëve të saj.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lehtësohet nga BE. Rruga drejt së ardhmes evropiane të të dyjave, Kosovës dhe Serbisë, çon përmes këtij Dialogu. Në fund do t’i mbetet vetë Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur kompromisin e nevojshëm”, ka thënë Stano për redaksinë.
“Objektivi përfundimtar i këtij Dialogu është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh tutje ai.
Biden këtë kërkesë e pati në një letër urimi të dërguar për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetit të Serbisë.
“Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të sinqerta juve dhe bashkëqytetarëve tuaj me rastin e Ditës së Shtetit të Serbisë më 15 Shkurt,” thuhet në mesazhin e urimit.
“Ne ju inkurajojmë që të vazhdoni të ndërmerrni hapa drejt arritjes së integrimit evropian, përfshirë futjen e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen reciproke”, tha tutje Biden.
As ky i fundit nuk la pa reaguar. Vuçiq u deklarua pas pranimit të letrës nga Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ku kërkohej edhe arritja e një marrëveshje me Kosovën që përfshinë njohjen e ndërsjellë.
Ai thotë se njohja e dyanshme nuk qëndron në asnjë akt të ndonjë organizate botërore.
“Njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kosovës nuk qëndron në asnjë akt të ndonjë organizate botërore”, ka thënë Vuçiq teksa theksoi se e kupton që kjo është një politikë e re amerikane, por që përgjigja e tij nuk do të jetë ndryshe nga takimi në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020.
Tutje Vuçiq u shpreh se njohja reciproke është e para që përmendet në urimin e Biden, por e njëjta nuk ishte e pranishme në urimet e viteve të kaluara nga ish-presidenti, Donald Trump.
“Tash është plotësisht e qartë se që nga fillimi ishte ide amerikane. Është e qartë se ata duan poshtërimin e plotë të Serbisë. E tëra çfarë dua të them u kam thënë në fytyrë në Shtëpinë e Bardhë”, ka shtuar Vuçiq.
Ndryshe nga presidenti serb, këtë letër e përshëndetën krerët e institucioneve të Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka mirëpritur këtë letër, për të cilën thotë se është e qartë që rruga e vetme në dialog është marrëveshja për njohje.
“Mirëpres qëndrimin e presidentit Joe Biden në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Është e qartë se rruga e vetme në dialog është marrëveshja për njohje. Një qasje që ka munguar që nga fillimi i dialogut, një qasje që duhet për përfundim të suksesshëm”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh kandidati për këtë post nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se letra e sotme e dërguar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në adresë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka vulosur miqësinë midis Kosovës dhe SHBA-së.
“Brenda disa javëve ne e kemi marrë ftesën për në Shtëpinë e Bardhë. Dhe sot një letër tjetër të presidentit të SHBA-ve e vulosi këtë miqësi. Besoj që jemi të bekuar si qytetarë të Republikës së Kosovës me këto miqësi që kemi”, ka thënë Hoti.
Edhe kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla sikurse u.d. e presidentes, Vjosa Osmani, thotë se presidenti Joe Biden e thotë qartë që objektivi i dialogut Kosovë-Serbi është njohja reciproke.
“Presidenti Amerikan Biden e thotë qartë: Objektivi i Dialogut për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton NJOHJE RECIPROKE”, është shprehur ajo.
“Për arritjen e Marrëveshjes Finale, hapat e mbetur duhet të jenë: 1. Definim i parimeve të Marrëveshjes; dhe 2. Përcaktim i kornizës kohore për arritjen e saj. Faleminderit sërish, Amerikë “, ka thënë Haradinaj-Stublla. /Insajderi.com