Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, ka komentuar lidhur me letrën e dërguar nga Presidenti amerikan Joe Biden, në adresë të homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, në të cilën ka kërkuar normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë, transmeton Insajderi.
Këtë kërkesë Selakoviq e quan si “një nga sinjalet” e vitit të shpallur si një vit i madh për presion ndaj Serbisë.
“Bisedimet me administratën e re amerikane nuk do të jenë të lehta dhe të thjeshta. Ne kemi pozicionin tonë, Amerika të sajin, por kjo nuk është një arsye për të hequr dorë nga pozicioni ynë, por për të vazhduar të luftojmë me këmbëngulje dhe me mençuri”, tha ai për ‘TV Happy’.
Selakoviq gjithashtu deklaroi se urimet e Bidenit nuk e befasuan atë.
“Kjo tregon pozicionin e ri të politikës së jashtme amerikane, por gjëja më e rëndësishme për ne është që në aktet e organizatave ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian, me të cilat ne jemi duke negociuar, gjëra të tilla nuk qëndrojnë si kushte, dhe pozicioni ynë i shprehur nga Presidenti Aleksandar Vuçiq në në Shtëpinë e Bardhë është i qartë”, tha ai. /Insajderi.com