“Ambasada e Kosovës duhet të jetë e vendosur në Jerusalemin Perëndimor, ku ndodhet aktualisht Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Kështu është shprehur për Gazetën Online Insajderi, profesori amerikan – njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor – Alon Ben Meir.
Profesori, që është i specializuar në negociatat e paqes mes Izraelit e Palestinës, shprehet se qeveria e Kosovës, kushdo që ta formojë atë, duhet t’i përmbahet marrëveshjes së arritur me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
I pyetur nëse pret që Bashkimi Evropian të kushtëzojë Kosovën në rast se themelimi i kësaj ambasade do të bëhet në Jerusalem, Ben Meir thotë se nuk mendon që Unioni do të ndërmarrë ndonjë veprim ndëshkues nëse qeveria e re vazhdon siç ishte rënë dakord me Izraelin.
“Kosova nuk është dhe nuk duhet të ndiejë se duhet të veprojë me nxitim”, thotë ai në këtë intervistë me shkrim për Insajderin.
“BE mund ta dekurajojë Kosovën nga mbajtja e ambasadës së saj në Jerusalem; Sidoqoftë nuk mendoj se BE do të ndërmarrë ndonjë veprim ndëshkimor nëse qeveria e re e Kosovës vazhdon siç ishte rënë dakord me Izraelin”, ka thënë ai.
Ben-Meir është i bindur po ashtu se edhe administrata e re amerikane nuk do ta lëvizë ambasadën më nga Jerusalemi.
Prandaj, as për Kosovën s’do ketë presion amerikan ta ripozicionojë objektin diplomatik.
Ditë më parë, kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për raportet me Izraelin nëse Vetëvendosje merr qeverinë.
I pyetur për qëndrimin e evropianëve që ambasada duhet të jetë në Tel Aviv, Konjufca shprehu se edhe Kosova, nëse i kërkohet, mund të bëjë diçka të tillë.
“Nëse ne kushtëzohemi nga BE gjatë procesit të integrimeve evropiane përmes ndryshimit të lokacionit të Ambasadës sonë në Jerusalem, unë mendoj se kjo do të duhej të rishqyrtohej meqenëse për Kosovën është jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe nga ai, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë të martën homologut të saj izraelit, Yariv Levin se pas njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Izraelit, të dyja këto shtete do të kenë mundësi të rrisin bashkëpunimin në shumë fusha.
Për Osmanin, lidhjet e Kosovës me Izraelin, janë të rëndësisë strategjike.
Në bisedën telefonike me Levinin, Osmani është cituar të ketë thënë se beson që njohja e Izraelit ka forcuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe shpreson që edhe vendet tjera mosnjohëse të veprojnë njëjtë.
Në një intervistë televizive, Osmani deklaroi se ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, që të presin derisa të vijë në funksion administrata Biden dhe të dihet se në cilën pjesë të Jerusalemit do të vendoset ambasada, e më pas të ndërmerren hapat tjerë lidhur me këtë marrëveshje.
Kosova dhe Izraeli kanë formalizuar marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt.
Në një ceremoni virtuale të mbajtur gjatë kësaj dite, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin, në të cilin thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Ministri izraelit, Ashkenazi ka thënë se të dyja shtetet po bëjnë histori.
Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur këtë lajm, derisa Bashkimi Evropian e ka konsideruar fatkeq vendimin e Kosovës për hapje të ambasadës së Kosovës në Jerusalem. /Insajderi.com