Selimi reagon pasi Gjykata në Beograd miratoi racizmin ndaj shqiptarëve

Selimi reagon pasi Gjykata në Beograd miratoi racizmin ndaj shqiptarëve

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh ministri aktual i Drejtësisë, Selim Selimi ka reaguar pasi Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, njofton Insajderi.

Sipas Selimit, ky vendim është “shembull tjetër që Serbia ka nevojë për denazifikim”.

Ai po ashtu ka përgëzuar kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafën, për punën e mirë që po e bën atje për respektimin e të drejtave të njeriut dhe trajtimin e barabartë.

“Një shembull tjetër që Serbia ka nevojë për denazifikim! Ragmi, miku im, ti mbetesh një nga zërat e paktë që kërkon respektimin e të drejtave të njeriut dhe trajtimin e barabartë në Serbi. Nuk jeni vetëm, jemi pranë jush”, ka shkruar Selimi./Insajderi.com