Shqipëria me masa të reja, mbyllje nga ora 20:00-06:00

Shqipëria me masa të reja, mbyllje nga ora 20:00-06:00

Masa të reja shtrënguese ndaj pandemisë COVID-19, janë marrë të mërkurën e 10 shkurtit në Shqipëri, njofton Insajderi.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të ndërmarrë masa të reja ndër të cilat bëhet e ditur se është vendosur ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

Gjithashtu është vendosur ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

Siç raporton TCh, nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online në zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt. /Insajderi.com