Partia Socialdemokrate ka vendosur pankartën “Babai i madh po ju vëzhgon” mbi banerin e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmani, njofton Insajderi.
Nga kjo parti kanë përmendur edhe shamitë që LVV-ja po i vendos rrugëve të Prishtinës, teksa kanë paralajmëruar se po vjen një regjim i ri.
“Përmes ceremonialeve e simboleve të shpikura e të përvetësuara, me himn partie e shami shesheve, realizohet rituali politik i një regjimi të ri. Aty nuk ka qendra mendimi, por vetëm vegla kufizimi. Mjafton ta lexojmë këtë aspekt për ta kuptuar sforcimin që përmes ritualit mundohet të konvertohet në besim. Regjimi i Kurtit rregullohet nga ligjet e veta.
Një mentalitet politik i cili mendon se e mira publike mund të përcaktohet dhe kuptohet, në tërësinë e saj, vetëm nga një lloj i qeverisjes, dhe të shtrihet deri në kapjen e secilit segment, nuk bënë gjë, përveç se ushtron tashmë dhunë, përmes ligjërimit publik. Në përdorimin e gjuhës si në slloganin “Krejt dhe drejt” instiucionalizon mënyrat e konfliktit, në përpjekje për t’i sheshuar ato”, thuhet në komunikatën për medie.
Sipas PSD-së, Kurti po tenton ta fshijë të kaluarën dhe të ardhmen dhe ta përjetësojë të tashmën.
“E kaluara dhe e ardhmja fshihen, sepse përjetësohet e tashmja. Fshirja e të kaluarës bëhet për përjetësimin e pushtetit të tashëm i cili prodhon dijen e re për faktet e vjetra. Ky është rend që zapton hapësirën dhe lë jashtë kohës çdo mundësi. Por për dallim nga e kaluara, ne nuk do të lejojmë që rasti i Kosovës të shndërrohet në tregim distopian”, thuhet tutje në komunikatë./Insajderi.com