Gashi i AAK-së premton ndërtimin e dy termocentraleve

Gashi i AAK-së premton ndërtimin e dy termocentraleve

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Fatmir Gashi, ka premtuar se në qeverisjen e kësaj partie do të ndërtojnë dy termocentrale, një me qymyr dhe tjetrin me gaz, transmeton Insajderi.

Sipas Gashit, njëri do të ndërtohet në Obiliq dhe tjetri në Dukagjin.

Ai në T7 tha se AAK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit garon me një program ku pikë kryesore ka zhvillimin ekonomik.

“Gjëja kryesore është programi zhvillimi, ne do të ndërtojmë dy termocentrale, një me qymyr dhe një me gaz, i pari në Obiliq dhe i dyti në rrafsh të Dukagjinit.. Do të punësohen gratë, të cilat do të subvencionohen nga shteti”, pohoi Gashi.

Ai tutje shtoi se Aleanca e ka paraparë një fond rindërtimesh prej një miliard euro.

“Në të përfshihen bizneset, qytetaret dhe lehtësirat fiskale. 350 milionë euro shkojnë te qytetarët, ndërsa 650 të bizneset, të cilave nuk do të jepen si grante, por Aleanca do ia jap bankave, pasi grantet e kemi parë se si shkojnë. Fondin për prodhim, për eksport, për turizëm projektin Brezovica – Borea, dhe këtu kanë mundësi të marrin kredi. Kamata e kredisë do të jetë 3.5 %, të cilën do ta mbulojmë nga fondi ynë”, potencoi Gashi./Insajderi.com