Haradinaj: Na e kopjuan të tjerët programin

Haradinaj: Na e kopjuan të tjerët programin

Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qytetarët gjatë kohës sa kanë qenë në pandemi, kanë pasur një fokusim më të madh në proceset që po kalon vendi, njofton Insajderi.

Ai ka thënë se shihet që është një vetëdije e ngritur në sfidat që e presin Kosovën, sidomos në ekonomi.

Haradinaj thotë se përgjigje kësaj i kanë dhënë me programin i cili e trajton mirë ekonominë.

“Nëse flasim për siguri, situata vazhdon nga një gjendje ekzistuese që ka qenë edhe më herët por duhet të ngritët. Nëse flasim për mirëqenien ajo përcaktohet se çka do të ndodhë me ekonominë, ndërkaq politika e jashtme është e njohur. Nga një ekonomi që ka qenë në rritje tani ka rënë, kjo gjendje e bënë emergjente situatën. Fokusimi jonë duhet të jetë të ndërhyjmë që të mos bie më shumë ekonomia”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka shtuar se kanë dalë të parët me këtë program dhe i njëjti është kopjuar nga të tjerët.

“Nëse i merrni me data e kohë edhe fjalën time hyrëse e kanë marrë partitë tjera, porse është normale. Nuk dallojnë më ato që thonë partitë, ato e kanë të qartë se pa e shti paranë e re, nuk mund ta bëjnë me rritje të taksave. E vetmja dalje është paraja e re”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka shtuar se tentojnë për një partneritet financiar me një bankë, ku Kosova është bashkëpronare. Të tretin instrument ai thotë se e kanë paraparë bursën financiare.

Sipas tij, ideja është që të gjenden instrumente që janë përdorur nga shtetet tjera e që kanë rezultuar të suksesshme./Insajderi.com