Juristi dhe analisti politik Vigan Qorrolli ka thënë se vendimi i Qeverisë sipas të cilit, shtetasve të Kosovës që vijnë në vendlindje për të votuar më 14 shkurt do t’u kërkohet testi PCR negativ për COVID-19 i bërë në 72 orët e fundit, është jokushtetues, njofton Insajderi.
Qorrolli thotë se qeveria po ua pamundëson hyrjen në shtet shtetasve të saj, në mënyrë diskriminuese dhe nga frika e votës.
“72 orë para zgjedhjeve — Qeveria ia pamundëson në mënyrë diskriminuese hyrjen në shtet — shtetasve të saj që e kanë një vendbanim tjetër jashtë territorit të Kosovës. Kjo është urrejtja më serioze qe i bëhet shqiptarit të diasporës. Dhe kjo behet nga frika e votës, ashiqarshem”, ka shkruar ai në Facebook.
E sipas Qorrollit, ky veprim nuk duhet të kalojë në heshtje, por të dënohet.
“Duhet të dënohet ashpërsisht sepse ky mohim i lirisë së lëvizjes është një akt i pastër poshtërsie”, shkruan ai./Insajderi.com