“Beteja për votat e myslimanëve praktikantë” mes VV-së e PDK-së

“Beteja për votat e myslimanëve praktikantë” mes VV-së e PDK-së

“Tek VV e PDK ekziston një synim që t’i fitojnë votat e besimtarëve që vërehet edhe në praktikë, por nuk janë të sinqertë”.

Kështu i tha Insajderi-t, kryetari i partisë FJALA, Gëzim Kelmendi, teksa thekson se “praktika 10 vjeçare në Kuvendin e Kosovës ka bërë të kuptohet se VV dhe PDK kanë punuar kundër interesave të besimtarëve”.

Kelmendi beson se Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës janë “të njëjta” për sa i përket qasjes në raport me myslimanët praktikues.

Këtë qëndrim e bazon tek udhëzimi administrativ që ndalon mbajtjen e shamisë nëpër shkollat fillore dhe te mesme, dhe propozimi i projekt-ligjit për ndalimin e zhurmave, ku ishte përfshirë edhe ezani – janë veprime që cilësohen sipas Kelmendit, “politika kundër besimtarëve”.

Udhëzimin administrativ të cilin e ka nënshkruar ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, tash kandidat për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës – më datë 20 dhjetor Komisioni për të Drejtat e Njeriut në legjislaturën e fundit kërkoi që të shfuqizohet.

Po ashtu, Enver Hoxhaj, tashmë ka ndryshuar qëndrim mbi atë që ka nënshkruar 11 vite më parë.

Kështu pretendon, kandidati për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, Sylejman Cerkezi.

“Sigurisht që qëndrimi i Enver Hoxhes është për ta hequr atë udhëzim administrativ sepse është e drejtë kushtetuese”.

Por, skeptik i madh është Gezim Kelmendi i cili deklaroi se Hoxhaj “është betuar se përderisa të jetë në skenën politike nuk do ta largojë udhëzimin administrativ”.

Të njëjtin dyshim e ka edhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Labinotë Demi-Murtezi.

Murtezi është deputetja e parë me mbulesë në Kuvendin e Kosovës dhe thotë se diskriminimin mbi vajzat e mbuluara e ka provokuar pikërisht, Enver Hoxhaj.

“Ai e ka provokuar diskriminimin fetar dhe nuk e kuptoj sentimentin e tij tashmë me fenë”.

Ish-deputetja me hixhab (veshje islame) në dy legjislatura potencoi se nuk përfaqëson vetëm vajzat me mbulesë, por gjithë qytetarët.

“Ne angazhohemi për liri, barazi e drejtësi për të gjithë qytetarët. Unë nuk bëj ndarje në këto baza”, tha Murtezi-Demaj për Insajderin.

Koncepti që njihet si “Islam Politik” që për Cerkezin është “Politika Islame”, ka kohë të jetë përfshirë më shumë në diskursin politik pikërisht pas ndalimit të disa vajzave për të hyrë në shkollë me mbulesë.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte deklaruar se “ka rëndësi çfarë ke në kokë e jo çfarë ke mbi kokë”.

Ai kishte propozuar që shamia në shkolla të lejohet mbi moshën 16 vjeçare.

Por, Gëzim Kelmendi deklaron se “gjithë kjo është mashtrim”.

“Së shpejti qytetarët do ta kuptojnë manipulimin”.

Që këto vota konservatore “janë të manipuluara”, e thotë edhe Sylejman Cerkezi i cili deklaron se është ideatori i këtij koncepti politik si themelues i Partisë së Drejtësisë.

“Votat e praktikueseve janë të mëdha dhe që janë keqpërdor dhe po keqpërdoren akoma. Duhet te ketë një votë origjinale jo të trajtohet vetëm në fushatë dhe keqpërdorimit”, tha ai.

Si mori vëmendje diskursi i fesë në politikë

Në vitin 2010 ishte nënshkruar një udhëzim administrativ që ndalonte mbulesën islame në shkolla fillore dhe të mesme.

Kundërshtarët e këtij udhëzimi administrativ që kryesisht ishin nga Partia e Drejtësisë dhe LISBA e Fuad Ramiqit, pretendonin se ky udhëzim administrativ “është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, saktësisht nenin 38 paragrafin nr 3.

Ndalimi i disa vajzave që të vijojnë mësimin shkak i shamisë kishte mobilizuar protesta një dekadë më parë.

Duke i shtuar edhe kërkesën për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë – çështja fetare kishte hyrë tashmë në trajtimin politik e mediatik.

Në vitin 2011 kishte shpërthyer “Pranvera Arabe”, e cila rezultoi e suksesshme deri tek krye-ngritja siriane.

Në zhargonin islamik, Siria është pjesë e “Shamit”, një tokë e shenjë sipas burimit të dytë të Islamit ( hadithit) që pos Sirisë, përfshinë edhe Jordaninë, Libanin, Izraelin, Palestinën dhe një pjesë të Turqisë Lindore.

Disa të rinj i ishin bashkuar konfliktit të armatosur në Siri e Irak.

Institucionet e Sigurisë ishin alarmuar.

Më 11 gusht të vitit 2014, ishin arrestuar 40 persona të dyshuar për terrorizëm.

24 ditë më vonë ndodhi edhe arrestimi i hoxhallarëve më të njohur në Kosovë që ishin pjesë e vazhdueshme e hapësirës mediatike deri në atë kohë.

Pikërisht tre muaj para arrestimit të hoxhallarëve në krye me Shefqet Krasniqin, kishte ndodhur një koalicion në mes Partisë Demokratike të Kosovës e Partisë së Drejtësisë.

Udhëzimi administrativ ishte pjesë e marrëveshjes.

Opinionin publik e kishin shoqëruar për vite me radhë debatet e petkut fetar.

Më 5 qershor të vitit 2017, Albin Kurti, gjatë një takimi elektoral në kohë iftari kishte premtuar “luftë ndaj islamofobisë”.

Një pjesë e madhe e politikanëve tashmë e kanë bërë traditë që t’i ndalin fjalimet gjatë kohës sa thërret ezani.

Ky inkuadrim i fesë në politikë shihet nga perspektiva të ndryshme.

Dy taborët e botëkuptimeve të kundërta shpesh përplasen deri në gjuhë të papërshtatshme. /Insajderi.com