Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, ka deklaruar se rregullimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e kësaj të fundit në Bashkimin Evropian, transmeton Insajderi.
Ai është shprehur se marrëdhëniet e pazgjidhura mes dy shteteve fqinje kushtojnë shumë, për të dy palët.
Sipas Mass, mbi të gjitha ajo ngadalëson zhvillimin ekonomik të të dy vendeve dhe kështu përfaqëson një frenim për të gjithë rajonin.
“Për të mirën e njerëzve, do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të arrijmë një zgjidhje së bashku. Kjo do të thotë se njerëzve duhet t’u shpjegohet përfitimi, në mënyrë që të inkurajojë guximin kolektiv për të pranuar sfidën e pajtimit të ndërsjellë”, ka thënë Mass, për gazetën serbe “Kurir”.
I pyetur nës Ballkani ende paraqet një rrezik të mundshëm për BE-në, duke pasur parasysh historinë e konflikteve të viteve ’90-ta, Mass ka deklaruar se “për fat të mirë, koha e konflikteve të përgjakshme të viteve nëntëdhjetë ka kaluar”./Insajderi.com