Si çdo vit tjetër, edhe sivjet monumenti “NEWBORN” do të ndryshohet për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, njofton Insajder.
Këtë vit ky monument do të ketë ngjyrat e ushtrisë.
Fisnik Ismaili i cili ka qenë pjesë e ekipit që e ka monumentin, ka thënë se “në një kohë kur po na cenohet dinjiteti dhe lufta e pastër si asnjëherë më parë, është momenti i fundit që të bëhemi të gjithë bashkë dhe t’i tregojmë botës se paqen e prumë të gjithë ne, me shumë sakrificë”.
Ismaili ka ftuar të gjithë qytetarët që duke filluar nga dita e nesërme, pasi të kenë votuar, të dalin para monumentit dhe ta ngjyrosin shuplakën e dorës me njërën nga ngjyrat e ushtrisë dhe ta vendosin në monument.
“Ky proces pastaj do të vazhdojë edhe të hënën e martën më datat 15 dhe 16, ku do të dalim që t’ua mundësojmë qytetarëve të ngjyrosin shuplakët dhe t’i vendosin në monument, si shenjë respekti, dashurie dhe përkrahje për luftën tonë, që në fund Monumenti NEWBORN të ketë pamje të uniformës së ushtrisë, të krijuar nga duart e vetë qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook./Insajderi.com