Syla: S’kemi kapacitete spitalore nëse rritet numri i të infektuarve

Syla: S’kemi kapacitete spitalore nëse rritet numri i të infektuarve

Javëve në vijim pritet të rritet numri i të infektuarve me Coronavirus, për shkak të grumbullimeve të qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore.

Kështu kanë bërë të ditur nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, të cilët thanë se shtimi i infeksioneve do jetë ngarkesë për profesionistët shëndetësorë, ndërsa në anën tjetër kanë mungesë edhe të kapaciteteve shëndetësore.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla deklaroi për KP se nëse rritet numri i të prekurve me Coronavirus atëherë do të padisin partitë që shkelën masat anti-COVID gjatë fushatës zgjedhore.

“Të gjitha parametrat tregojnë se do shtohet numri i infeksioneve dhe me këtë rast do kemi dhe një ngarkesë tek punëtorët shëndetësorë të sistemit shëndetësor. Por një statistikë e tmerrshme tregon se punëtorët shëndetësorë janë 4 deri 5 herë më shumë të atakuar sesa popullata tjetër. Dhe si pasojë e kësaj, ne e kemi paralajmëruar secilën parti politike se nëse do ndodh shtimi i rasteve si pasojë e tyre atëherë normalisht do përpilojmë edhe padi kundër këtyre partive sepse me të vërtet është tepruar, këta nuk po kuptojnë”, tha Syla.

Në Kosovë tashmë janë detektuar tri rastet e para me variantin e ri britanik, por Syla thotë se ardhja e mërgatës për të votuar nesër më 14 shkurt, do e rris rrezikun për më shumë të infektuar me këtë variant. Ai tha se ky variant është më vdekjeprurës.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla paralajmëron një valë tjetër të infektimeve me COVID-19 edhe gjatë muajve mars dhe prill. E për përballim të këtyre rasteve thotë se nuk kanë kapacitete spitalore.

Ai e ka cilësuar jo serioze edhe qasjen e institucioneve për sigurim të vaksinës anit-COVID./Insajderi.com