Albin Kurti ka para vetes vetëm një shans për ta fituar vendin në histori dhe kjo shans quhet sundim i ligjit.
Kështu ka deklaruar analisti politik, Blerim Latifi, pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, ku sipas rezultateve të deritanishme Lëvizja Vetëvendosje radhitet e para, me Kurtin kandidat për kryeministër.
Latifi në një postim në Facebook, ka shkruar se në një shtet ku epiteti kryesor i cili u vishet politikanëve është epiteti i hajnit, çelësi për sukses elektoral është të perceptohet si i pa korruptuar.
“Këtë çelës e kishte vetëm Kurti, prandaj dukej qartë se fitorja e tij do të jetë e pashmangshme dhe e madhe. Anti-korrupsioni është tregimi i madh që e solli në pushtet dhe koha e qëndrimit të tij në pushtet do të varet krejtësisht nga aftësia e tij për ta përkthyer këtë tregim në praktikë qeverisëse. Natyrisht, për këtë nuk do t’i mjaftojë vetëm pa korruptueshmëria e tij personale, por edhe ajo e ekipeve të tij qeverisëse”, tha ai./Insajderi.com