Tomë Gashi, avokat i familjes së Astrit Deharit, ka ngritur kallëzim penal kundër ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, njofton Insajderi.
Siç ka bërë të ditur Gashi, kallëzimi penal ka të bëjë me “mosveprimet e tij si person zyrtar – kryeprokuror dhe prokuror në rastin e hetimit të vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari”.
Sipas tij, Hoxha nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në kuadër të detyrës së tij zyrtare për të siguruar prova që do të identifikonin “vrasësit e Deharit”.
“Familja e Astrit DEHARIT kërkon drejtësi pa hakmarrje! Ashtu siç premtuam pas Referendumit për VETËVENDOSJE! ne sot po e publikojmë kallëzimin penal kundër ish Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, ish Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ish kandidatit për deputet të Kuvendit të Kosovës nga LDK – SYLË HOXHA.
Kallëzimi penal ka të bëjë me mosveprimet e tij si person zyrtar – Kryeprokuror dhe Prokuror në rastin e hetimit të vrasjes së aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Astrit DEHARI. Kryeprokurori – Prokurori Sylë Hoxha nuk ndërmori asnjë veprim të domosdoshëm në kuadër të detyrës së tij zyrtare për të siguruar prova që do të identifikonin vrasësit e Astrit Deharit, urdhërdhënësit për vrasje dhe ata që e fshehën vrasjen e Astritit për më tepër se 4 vite”, ka shkruar Tomë Gashi në Facebook./Insajderi.com