Pësoi shumë humbje, historia e Mustafës në LDK

Pësoi shumë humbje, historia e Mustafës në LDK

Më 7 nëntor të vitit 2010 e mori timonin e Lidhjes Demokratike të Kosovës e me 15 shkurt 2021 dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë më të vjetër në Kosovë.

Isa Mustafa në Lidhjen Demokratike të Kosovës hyri pas një eksperience politike në Republikën Federale të Jugosllavisë.

Si profesor i mikro-ekonomisë, fjalori i tij ishte i natyrës së ekonomisë edhe në politikë.

Në vitin 2007 ai arriti ta merrte drejtimin e kryeqytetit, aty ku Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte bastion kryesor.

Në një dramë votimesh, Mustafa mori LDK-në nga Fatmir Sejdiu më 7 nëntor.

Por, zgjedhjet e para i humbi, pasi mori 172.552 vota  ( 24.69%) kundrejt PDK që fitoi 32.11% ( 224.339 vota).

Isa Mustafa do ta drejtonte partinë kryesore opozitare në Kosovë, kundrejt koalicionit PDK-AKR.

Retorika anti-SHIK dhe kërkesa për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës ishin dy kartat që Mustafa përdorte si opozitar.

Përderisa, po përgatitej për zgjedhjet e ardhshme nacionale – u befasua në Prishtinë. Humbi Prishtinën nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, subjekt politik që më vonë do të bëhet shkak për dorëheqjen e të këtij të fundit.

Në vitin 2014, Isa Mustafa i humbi përsëri zgjedhjet nga PDK, por me një diferencë më të vogël.

“Mustafa kryeministër”, e “Thaçi ministër i jashtëm e pastaj president”, ishte marrëveshja PDK -LDK më 19 nëntor.

Mustafa për ta arritur marrëveshjen me PDK, u shkëput nga marrëveshja me bllokun opozitar, VLAN ( Vetëvendosjen, AAK-në dhe NISMA-n).

Vjosa Osmani, kishte kundërshtuar koalicionin me PDK-në. Një vit më vonë e sfidoi për postin e kryetarit. Pa sukses.

Kjo asaj i kishte kushtuar që në vitin 2017 do jetë në nr 82 të LDK-së. Mustafa kandidoi për kryeministër Avdullah Hotin.

LDK doli e treta, por tani do të qëndronte në opozitë.

Si opozitë, Isa Mustafa kishte kontakt personal me Albin Kurtin.

Nga ky i fundit i humbi zgjedhjet më 6 tetor 2019 me 1% diferencë, kishte kandidate për kryeministre,  Vjosa Osmani me të cilën kishte arritur gjuhë të përbashkët që të mos ta sfidonte për kryetar të partisë ( 2019).

Koalicioni VV-LDK, nuk zgjati më shumë se 52 ditë. Prishja e Qeverisë në kohë pandemie bëri që të kritikohet Isa Mustafa.

Më 29 nëntor, LDK humbi edhe Podujevën, bastion 20 vjeçar i Agim Veliut që u bë shkak i betejës VV-LDK.

Por, “kapaku u mbush”, më 14 shkurt, LDK ka marrë pak më shumë se 13% të votave. Rezultati më i keq në histori të partisë.

Pas gjithë kësaj Isa Mustafa u dorëhoq dhe ende nuk dihet se kush do të jetë pasardhësi i tij. /Insajderi.com