Kurti për AFP: Barazia – pika fillestare e bisedimeve me Serbinë

Kurti për AFP: Barazia – pika fillestare e bisedimeve me Serbinë

Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se dëshiron të iu japë formë të re bisedimeve me Serbinë, për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta, transmeton Insajderi.

Kështu është shprehur ai për agjencinë e lajmeve “AFP”, ku shtoi se bisedimet nuk duhet të përqendrohen rreth mënyrës se si “të kompensohet” Serbia për humbjen e Kosovës.

“Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për të mire. Duhet të diskutojmë me Serbinë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtarë”, shtoi ai, raporton REL.

Kurti tha se do që ta ndryshojë drejtimin e bisedimeve, duke shtuar se Beogradi premton njohjen e Kosovës në fund të negociatave, por kërkon koncesione maksimale ndërkohë.

“Ju merrni sa më shumë që mundeni, ndërsa premtoni një fund që nuk do të ndodhë. Kjo është arsyeja përse reciprociteti, barazia nuk mund të jetë rezultati përfundimtar (i bisedimeve), duhet të jetë pika fillestare. Dhe, njerëzit duhet të jenë përfituesit përfundimtarë”, tha Kurti. /Insajderi.com