Prokurorja: Kemi shumë dëshmitarë, shumicën do t’i përdorim në gjyq

Prokurorja: Kemi shumë dëshmitarë, shumicën do t’i përdorim në gjyq

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Prokurorja e specializuar tregoi të rejat e fundit lidhur me materialin akuzues dhe atë shfajësues, ndërsa foli edhe për dëshmitarët që do t’i përdorin gjatë gjykimit.

Ajo tha se kanë shumë dëshmitarë, teksa shtoi se shumicën prej tyre do t’i përdorin në gjyq.

“Në lidhje me identifikimin e dëshmitarëve, caktimi i një numri të personave ndodh si rezultat i hetimit tonë si zyrë prokurorie. Nuk është konstatuar nëse ne do t’i përdorim këta persona në gjyq. Por, të gjitha materialet e nxjerra janë materiale që i kemi përdorur në rastin e konfirmimit të aktakuzës.

Siç kemi thënë më përpara, parashikohet që shumica e këtyre dëshmitarëve do të përdoren në gjyq. Dua të them se jemi në proces që provat e tyre t’i bëjmë të njohura kur të jetë momenti i duhur. Ato që janë nxjerrë deri tash janë materiale që e mbështesin aktakuzën, të tjerat do të nxirren në momentin e duhur konform afateve ligjore”, tha ajo./Insajderi.com