Mbrojtja e Veselit: Në materialet e Prokurorisë nuk ka asnjë provë kundër klientit tim

Mbrojtja e Veselit: Në materialet e Prokurorisë nuk ka asnjë provë kundër klientit tim

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, i ka thënë gjykatësit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Nicolas Guilloi, se nuk ka asnjë provë kundër klientit të tij.

Emmerson po ashtu ka kritikuar Prokurorinë e Dhomave të Specializuara për punë të paorganizuar, ndërsa ka shtuar se provat të cilat ajo u ka ofruar deri tani janë të paqarta, njofton Insajderi.

Sipas tij, provat janë irelevante dhe shumësia e tyre po ia vështirëson punën mbrojtjes.

“Mënyra sesi po bëhet nxjerrja e materiale është mënyra më e padobishme e mundshme duke i pamundësuar mbrojtjes të bëjë hetimet e saja. E gjithë kjo punë po bëhet në mënyrë të paorganizuar. Ato janë një sasi kaotike e materialeve të cilat duhet të shihen në imtësi dhe të analizohen që të rindërtojmë se çfarë pio thotë prokuroria dhe pastaj të fillojmë hetimet tona”, ka thënë Emmerson.

Avokati Emmerson ka shtuar se kjo po bëhet me qëllim.

“Unë nuk dua të kemi asnjë lloj keqkuptimi për këtë pengesë të jashtëzakonshme që na është krijuar nga mënyra sesi po e bënë Prokuroria. Kjo është e qëllimshme dhe këtë mund ta shikojmë edhe te parashtrimi që bëri Prokuroria që tha se lidhjet me dëshmitarët nuk mund të bëhen”, u shpreh Emmerson./Insajderi.com