Abrashi: Kryetarët e degëve të LDK-së mbesin në pozitat e tyre

Abrashi: Kryetarët e degëve të LDK-së mbesin në pozitat e tyre

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se kryetarët e degëve të kësaj partie do të mbesin në detyrë deri në mbajtjen e Kuvendit zgjedhor, njofton Insajderi.

Pas mbledhjes së kryesisë me kryetarët e degëve, Abrashi ka njoftuar se takimi është thirrur për t’i njoftuar ata me veprimet e kryesisë, pra me dorëheqjen e Isa Mustafës nga pozita e të parit të partisë dhe dorëheqjen e cila pritet të jepet nga e gjithë kryesia.

Ai ka thënë se mbajtja e Kuvendit zgjedhor është çështje javësh.

“Kryetari Mustafa ka njoftuar kryetarët e degëve për dorëheqjen dhe vendimin për të shkuar në zgjedhje të partisë. Kryetarët e degëve vazhdojnë të jenë të njëjtit, deri në organizimin e Kuvendit që do të mbahet shumë shpejtë. Dorëheqja e kryetarit Mustafa është e parevokueshme. Zgjedhjet janë çështje javësh kur do të mbahen”, ka thënë Abrashi para mediave.

I pyetur për emrat që deri më tani janë përmendur për të marrë postin e të parit të LDK-së, ai tha se deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

“Ne do t’i kemi dy-tri komisione që do të themelohen këto ditë, njëri do të merret me kandidaturat njëri me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Dorëheqja e Mustafës është e parevokueshme. Ne duhet t’i presim këto organe që do të konstituohen që ta organizojmë procesin e zgjedhjeve të brendshme. Nuk mund të caktojmë datë por është çështje javësh”, ka thënë Abrashi./Insajderi.com