Ruçi uron Osmanin: Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Ruçi uron Osmanin: Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka deklaruar se Shqipëria e mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, transmeton Insajderi.

Ai ka thënë se e mbështet qëndrimin e presidentit amerikan, Joe Biden, se thelbësore për ecjen përpara të të dy vendeve është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, drejt njohjes së ndërsjellët.

Këto deklarata Ruçi i ka bërë në një letër urimi të cilën ia ka dërguar të mërkurën homologes së tij në Kosovë, Vjosa Osmani, me rastin e 13-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në letër, ai ka theksuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzimi i përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të Kosovës për liri, sovranitet e drejtësi.

Tutje thuhet se “Ne kemi besim se rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit do të prodhojnë institucione të forta e të qëndrueshme, të afta për të përballuar sfidat e mëdha e të vështira të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, sot e në të ardhmen.

“Në këtë mision fisnik, Ju garantoj se Kuvendi dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë, si edhe më parë, mbështetjen e Kuvendit dhe institucioneve të Shqipërisë. Shqipëria ka përshëndetur marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga ShBA, mbështet dialogun midis të dy vendeve, ndërmjetësuar nga BE, si edhe qëndrimin e Presidentit Biden se thelbësore për ecjen përpara të të dy vendeve është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, drejt njohjes së ndërsjellët, e cila do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve dhe do të avancojë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ndër të tjera Ruçi./Insajderi.com