Elezi: Deri tani janë proceduar 44.33% e të dhënave për subjektet politike

Elezi: Deri tani janë proceduar 44.33% e të dhënave për subjektet politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri tani ka proceduar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për rreth një mijë e 56 vendvotime apo 44.33 për qind, transmeton Insajderi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u proceduar me futjen e të dhënave nga formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve, të cilat janë plotësuar në vendvotime nga anëtarët e Këshillave të Vendvotimit në ditën e zgjedhjeve pas numërimit të fletëvotimeve.

“Nga 2 mijë e 382 vendvotime, deri më tani janë proceduar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për rreth 1 056 vendvotime (44.33%) si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për rreth 841 vendvotime (35.11%)”, ka thënë Elezi.

Elezi ka bërë të ditur se nga pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet, tashmë kanë një raport lidhur me gjendjen e vendvotimeve.

“Nga 2 mijë e 382 vendvotime, një numër i vogël i tyre, vetëm rreth 80 sosh, nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta për arsye të ndryshme: mospërputhje të nënshkrimeve; apo formularë të rezultateve të panënshkruara nga Anëtarët e Këshillit të Vendvotimit. Këto vendvotime do të shikohen më në detaje për problemet që kanë dhe në bazë të të gjeturave do të përgatitet një raport me rekomandime i cili do të paraqitet në KQZ”, ka thënë Elezi./Insajderi.com